Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut merr pjesë në fushatën globale “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila mbahet çdo vit nga 25 nëntori (Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave) deri më 10 dhjetor (Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut). Fushata synon të rrisë vetëdijen për dhunën me bazë gjinore (DHBGJ) dhe të promovojë përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Delegacioni filloi pjesëmarrjen e tij në fushatë nën sloganin “Ndrysho historinë – jepi fund dhunës”, me një video të fuqishme me një dëshmi intime të një gruaje që kalon nëpër disa faza emocionale, duke reflektuar transformimin e saj personal dhe duke integruar përvojat e shumë grave të tjera. Filmi fillon me gjendjen e saj fillestare të traumës dhe heshtjes, momentet e cënueshmërisë, por në fund ajo merr vendimin për të kërkuar ndihmë, të mbushur me pasiguri. Ne shohim se si ajo stabilizohet, si hapet një kapitull i ri në jetën e saj ndërsa bëhet një zë për gratë e tjera që kanë kaluar vështirësi të ngjashme dhe përfundon me një fazë të re në jetën e saj – stabilitet dhe një fillim të ri.
“Bashkimi Evropian qëndron pranë të gjitha grave dhe vajzave që janë përballur me dhunë dhe diskriminim — pavarësisht të gjithë atyre që po punojnë për ta çrrënjosur atë. Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm një shkelje brutale e të drejtave themelore. Është një sulm ndaj barazisë, drejtësisë dhe llojit të së ardhmes që po ndërtojmë së bashku, ” tha kreu i Delegacionit të BE, ambasadori Mihalis Rokas, kur nisi fushatën. “Kush mund t’i harrojë gratë që rindërtuan jetën e tyre dhe tani ndihmojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë? Unë nuk do t’i harroj! Guximi i tyre frymëzon. Edhe e jotja mund të jetë.”
Përmes programeve të saj, BE-ja mbështet organizatat që punojnë për të mbështetur gratë viktima të dhunës, dhunës në familje, trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe gratë në varfëri ekonomike, mbijetesa e të cilave dhe mbijetesa e familjeve të tyre janë vënë në vështirësi shtesë.
Nën sloganin “Ndrysho tregimin – jepi fund dhunës”, fushata do të publikojë shtatë tregime të jetës reale të grave që kanë duruar dhe tejkaluar me sukses këto sfida, dhunë dhe vështirësi, me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga BE.
Delegacioni është krenar për bashkëpunimin me Komitetin olimpik të Maqedonisë së Veriut (KOM), i cili u bashkua në mënyrë aktive në fushatë, dhe disa nga atletët më të shquar inçizuan mesazhe me pikëpamjet e tyre mbi papranueshmërinë e dhunës me bazë gjinore.
Punonjësit e Delegacionit të BE-së, së bashku me shefin e Delegacionit, Ambasadorin Mihalis Rokas, inçizuan mesazhe të forta që do të transmetohen gjatë fushatës, duke folur qartë kundër dhunës me bazë gjinore dhe për nevojën që e gjithë shoqëria të përfshihet dhe të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj këtyre praktikave të tmerrshme.
Në bashkëpunim me “Porta e Hapur – La Strada”, Delegacioni organizoi tre punëtori për parandalimin e dhunës dhe trafikimit të grave dhe vajzave në Europe House në Shkup, Manastir dhe Tetovë, përkatësisht më 2, 3 dhe 5 dhjetor. Punëtoritë do të përfshijnë shfaqjen e filmit dokumentar “Dalja”, pasuar nga një panel diskutimi me të rinjtë e pranishëm. Punëtoritë do të hulumtojnë kryqëzimin midis dhunës me bazë gjinore, trafikimit të qenieve njerëzore dhe martesës së detyruar dhe të fëmijëve, duke theksuar se si pabarazia sistematike dhe normat e dëmshme gjinore rrisin cënueshmërinë e grave dhe vajzave ndaj dhunës dhe eksploatimit.
Qendra e krizave “Shpresa”, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së, organizon tre ngjarje. Më 25 nëntor, u mbajt një aksion në rrugë në sheshin në qendër të Shkupit, në të cilin nxënësit nga Shkolla private ndërkombëtare (IPS) ndanë materiale informative me kalimtarët. Të nesërmen, u organizua një prezantim në IPS për nxënësit me temën e parandalimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Ngjarja e tretë do të mbahet në Europe House në Shkup më 5 dhjetor, në formën e një paneli diskutimi me titull “Të rinjtë si bartës të ndryshimeve – parandalimi i dhunës përmes pjesëmarrjes dhe arsimit”.
