Lajme
25 Nov

Heroinë nr. 1 (16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore 2025)

25 November 2025

Vesna është nënë e tre fëmijëve, viktimë e trafikimit të njerëzve dhe dhunës seksuale. E mashtruar nga një mike e afërt, përfundoi në robëri jashtë vendit, ku ishte e ekspozuar ndaj dhunës dhe kontrollit. Në një moment guximi dhe me mbështetjen e një miku, policisë dhe një organizate joqeveritare, ajo arriti të arratisej dhe të kthehej në shtëpi.

Edhe krahas traumës së thellë, sot ajo po krijon një jetë të re. Një familje të re, punon dhe me përkushtim u ndihmon grave të tjera. Vesna është simbol i rezistencës, solidaritetit dhe forcës së gruas.

KUR BESIMI KTHEHET NË KURTH

“Kam pasur 36 vjet dhe isha para divorcit. Ndihesha e humbur dhe e frikësuar. Isha ekonomikisht e varur. Doja të shkoja të punoja jashtë vendit, të shpëtoja nga gjithçka dhe të filloja nga e para”, rrëfen Vesna.
Ajo nuk është naive, ajo hapur thotë se në atë periudhë përballej me krizë – emocionale, ekonomike, familjare. Në momente të tilla, besimi bëhet rrezik. “Një mike më ofroi punë jashtë vendit. Besova se do të më ndihmonte.”

Psikologjikisht, ky është një shembull klasik i rekrutimit manipulues, kur autori shfrytëzon besimin dhe momentin e paqëndrueshmërisë emocionale për ta futur viktimën në gjendje të kontrollit të plotë. Vesna u transportua përmes disa shteteve, pa dokumente, pa mundësi për rezistencë.

KUR TRUPI FLET

Në apartamentin ku ishte vendosur, Vesna jetonte nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nën kontroll të plotë. “Më ishte ndaluar të kem komunikim dhe nuk kisha telefon – ishte fikur.” Në një moment arriti të merrte telefonin dhe të dërgonte një mesazh: “Nuk jam mirë.” Kjo mjaftoi që të aktivizohej kërkimi që u zhvillua përmes Interpolit.

Policia e ka lokalizuar dhe e ka vizituar dy herë. “Më pyetën nëse gjithçka ishte në rregull, dhe unë nën detyrim duhej të thosha se ishte.” Por, në përpjekjen e dytë, Vesna bëri lëvizjen e vetme të mundshme. “Polici u përshëndet me të gjithë. Policja më zgjati dorën, ndërsa unë ia shtrëngova dorën dhe nuk e lëshova. Atëherë ajo më tërhoqi dhe më morën. Kështu dola prej aty.”

Shtrëngimi i dorës ishte momenti kyç. Në situata robërie, viktimat shpesh nuk mund të kërkojnë ndihmë me zë, por trupi reagon. Vesna nuk ka thënë asgjë, por nuk e lëshoi dorën e polices — një sinjal i mjaftueshëm që ajo të kuptonte se diçka nuk ishte në rregull. Ky ishte hapi i parë konkret drejt shpëtimit të saj.

ËSHTË E RËNDËSISHME TË MOS JESH VETËM

Pas shpëtimit, Vesna u vendos në një qendër strehimi. Por, frika nuk u zhduk menjëherë. “Kur vizitonim policinë për t’ju përgjigjur pyetjeve, e pashë njeriun aty pranë. Mendova se do të më zinte infarkt. Hymë në një dyqan, më dhanë ujë, sheqer… nuk e di si arrita të qetësohem.”

Kjo gjendje e stresit post-traumatik është e zakonshme te viktimat e trafikimit të njerëzve. Trupi reagon ndaj çdo kujtese – erë, fytyrë, hapësirë – si ndaj një kërcënimi të ri. Vesna thotë se për një kohë të gjatë nuk mund të flinte. “Për një periudhë të gjatë ishte: shtrihu – tronditu. Nuk kisha gjumë të qetë.”

Pas kthimit në vend, ajo hyri në kontakt me një grua nga një organizatë joqeveritare. “Që atëherë gjërat morën drejtim tjetër.” Filloi mbështetja e rregullt psikologjike dhe psikiatrike. “M’u desh kohë, por pas disa vizitave dhe bisedave të gjata fillova të ndihesha si njeri.”

Në atë proces, rol kyç pati edhe miku me të cilin më parë kishte qenë në kontakt — njeriu me të cilin sot jeton. “Ai më ndihmoi shumë. Më dha hapësirë të qetësohem, të ndihem e sigurt. Nuk më ushtronte presion, thjesht ishte aty.”

Mbështetja e qëndrueshme, jo e imponuar, luan rol kyç në procesin e shërimit. Kur viktima nuk lihet vetëm me traumën, krijohet hapësirë për besim, për qetësim, për rivendosjen e ndjenjës së kontrollit. Në rastin e Vesnës, pikërisht kjo lloj mbështetjeje — nga partneri, nga psikologët, nga organizata — i mundësoi të fillonte përballjen me dhimbjen dhe gradualisht të kthehej te vetja.

JETA PAS DHUNËS

Sot, Vesna jeton me partnerin që e ndihmoi të shpëtonte nga dhuna. Së bashku kanë një fëmijë, ndërsa me të janë edhe dy fëmijët nga martesa e mëparshme. “Tani jemi të martuar, jetojmë bashkë, kemi një fëmijë. Ai ishte shpresa e vetme në atë periudhë.”

Familja i ka dhënë ndjenjë sigurie, vend ku mund të ndihet e sigurt, e dëgjuar dhe e pranuar. “Mblidhja forcë para fëmijëve të mos tregoj sa e vështirë ishte për mua. Ata ishin ngushëllimi im.”

Vesna është e punësuar, vazhdon me mbështetje psikologjike dhe ndërton një përditshmëri ku ka zgjedhje. “Pasi mora guximin të dal prej andej vetë, mund të vazhdoj më tej.”

Vesna sot nuk flet vetëm për mbijetesë — ajo flet për zgjedhje. Për guximin për të kërkuar ndihmë, për heshtjen që merr zë, për gjuhën e trupit. Historia e saj nuk kërkon mëshirë, por vëmendje.  Ajo është kujtesë se çdo grua meriton hapësirë për siguri, mbështetje dhe liri. Dhe se më e rëndësishmja — asnjë grua nuk duhet të luftojë e vetme.