“Punëtoria për Planifikimin Strategjik – Zhvillimi i Planit Vjetor të Punës 2022 të Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile” u mbajt më 15 dhjetor 2021. Punëtoria mblodhi anëtarët e Këshillit për bashkëpunim me OSHC-të, përfaqësuesit e Njësisë për bashkëpunim me OSHC-të të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe ekspertët e Projektit të AT-së, për të diskutuar objektivat prioritare të Këshillit në vitin 2022.
Në ngjarje mori pjesë përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV, znj. Irena Ivanova, e cila në fjalën hyrëse foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndër-sektorial duke theksuar se “një Këshill i fortë dhe i hapur, që kryen në mënyrë efikase rolin e tij këshillues ndaj Qeverisë” është thelbësor për përparimin e politikave për një mjedis mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi kriteret kryesore për përfshirjen e aktiviteteve në Planin e Punës së Këshillit, si dhe mundësitë për të kontaktuar me organet e qeverisjes lokale dhe shoqërinë civile në të gjithë vendin përmes sesioneve tematike të Këshillit jashtë kryeqytetit. Gjithashtu, u përmend një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në dhe donatorët e tjerë në RMV, me qëllim krijimin e një rrjedhe të rregullt të informacionit, si dhe identifikimin e fushave të bashkëpunimit dhe mbështetjes potenciale për zbatimin e Strategjisë së Qeverisë për bashkëpunim me dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Punëtoria u organizua me mbështetjen e projektit të financuar nga BE-ja “Asistencë teknike për përmirësimin e mjedisit mundësues për organizatat e shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë së Veriut” në kuadër të aktiviteteve për përmirësimin e Kornizës Institucionale për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile në RMV.
